Në Kuvendin maqedonas, këtë të dielë u bë betimi i presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, fitues i zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 5 maj.

Ai u betua para deputetëve dhe përfaqësuesve më të lartë të institucioneve shtetërore e fetare, se gjatë mandatit pesëvjeçar do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, e se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut.

“Raportet ndëretnike dhe barazpesha mes të gjitha etniteteve kanë qenë gjithmonë fryt i stabilitetit dhe sigurisë sonë të brendshme. Problemi më i madh ka qenë dhe mbetet sjellja e partive më të mëdha politike, të cilat shpeshherë, pozicionin e tyre ndaj raporteve ndëretnike e kanë shprehur sipas interesave të tyre”, tha Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut.

Pendarovski është ndalur te procesi i integrimit euroatlantik, si prioritet kryesor i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit.

Në seancën solemne kanë marrë pjesë edhe presidentë e përfaqësues të lartë të shumë shteteve, si presidentët e Shqipërisë e Kosovës, Ilir Meta e Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Malit të Zi, si dhe zyrtarë të tjerë të huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA