Finalizohen me sukses dy operacione policore antidrogë të koduara “Shëndëllia” dhe “Kota”. Sekuestrohet në total 98 kilogramë lëndë narkotike cannabis sattiva. Arrestohen në flagrancë 3 persona.
Në Sarandë, u finalizua operacioni antidrogë “Shëndëllia”.
Në kuadër të luftës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione në rrugë operative se dy shtetas dispononin lëndë narkotike në banesë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor antidrogë të koduar “Shëndëllia”.
Gjatë operacionit në fshatin Shëndëlli, Policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas (babë e birë) K.Ll dhe F.Ll (48 dhe 18 vjeç), për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre Policia gjeti dhe sekuestroi 83 kilogramë lënde narkotike, si dhe disa kubikë ku dyshohet si ishin kultivuar fara cannabis sativa.
Në Vlorë, u finalizua operacioni antidrogë i koduar “Kota”
Në kuadër të këtij operacioni Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë bërë të mundur bllokimin e një automjeti tip “Mercedes Benz” në aksin rrugorë “Lapardha-Kotë”, Vlorë, ku nga kontrolli i ushtruar në të u gjet një sasi lënde narkotike me peshë totale 15 kilogramë e dyshuar e llojit cannabis sattiva.
Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin G.H., 31 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorive respektive Sarandë e Vlorë për veprime të mëtejshme.
Top Channel