Situata e tensionuar me Iranin ka detyruar Shtetet e Bashkuara të dërgojnë një luftanije të dytë në Lindjen e Mesme, për t’iu bashkuar kështu një aeroplanmbajtëseje të dërguar atje vetëm pak ditë më parë.

“USS Arlington”, e cila transporton kryesisht mjete amfibe dhe avionë, do t’i bashkohet “USS Abraham Lincoln” në Gjirin Persik, ndërsa forcave amerikane të pranishme në këtë zonë të nxehtë të globit do t’iu dërgohet edhe një sistem mbrojtjeje antiraketor “Patriot”.

Zyrtarët amerikanë, ndërkohë, kanë konfirmuar se në bazën amerikane në Katar kanë mbërritur bombarduesit “B-52”. Pentagoni pretendon në këtë mënyrë se Irani mund të jetë duke përgatitur operacione kundër forcave amerikane, të cilat vetëm pak kohë më parë i quajti “terroriste”, duke iu kundërpërgjigjur vendimit të Trumpit për të konsideruar “organizatë terroriste” Gardën Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë shumë pak detaje mbi natyrën konkrete të kërcënimit që raporton, ndërsa Irani nga ana e tij e ka hedhur poshtë duke e quajtur si të pakuptimtë. Teherani ka reaguar duke thënë se dërgesat e fundit janë thjesht një “luftë psikologjike” që synon të intimidojë Republikën Islamike.

Të premten, zyrtarë të Pentagonit thanë se SHBA-të nuk synojnë të nisin konflikt me Iranin, por Uashingtoni është “i gatshëm të mbrojë forcat amerikane dhe interesat e tij në rajon”. “Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të monitorojë me vëmendje aktivitetet e regjimit iranian”, thuhet në deklaratën që vijon me faktin se sistemet antiraketore “Patriot” do të dërgoheshin për të zmbrapsur çdo sulm të mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA