Ndalimi i dy zyrtarëve të qeverisë së Kosovës nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Keqtrajtimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe janë provokim dhe agresion i Serbisë ndaj Kosovës”, ka shkruar ai ne facebook.

Të ndaluarit, siç sqaroi vetë shefi i ekzekutivit, janë këshilltari i tij Sërxhan Jonanovic, dhe Srecko Spasic, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë.

Sipas Haradinajt, veprime të tilla tregojnë se “politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe se bllokuesit kryesor të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe”.

Jovanovic u ndalua edhe në muajin Prill po në të njëjtin vend nga autoritetet serbe. Ndalimi i atëhershëm i tij nxiti reagimin e përfaqësuesve politikë të Kosovës të cilët i bënë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë dhe të kërkojë frenimin e veprimeve të tilla nga Serbia.

Gjatë muajve të fundit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndaluar dhe intervistuar nga Shërbimi serb i zbulimit edhe Slobodan Petroviç, deputet i parlamentit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe të paktën tre bashkëpunëtorë të tij. Po ashtu janë shënuar shpesh raste të ndalimit e marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.

Top Channel