Partia Socialiste i dha fund dilemave se kush do të jenë kandidatët që do të garojnë për zgjedhjet e 30 Qershorit. Pas më shumë se 90 minuta mbledhje me kryesinë, kryesocialisti Edi Rama tha se PS është gati për fushatën elektorale.
“Nesër, të gjithë të deleguarit, sipas qarqeve, do të jenë në qarkun përkatës për të shpallur kandidaturat e miratuara, në prani të kandidatëve, si dhe të grupeve drejtuese të fushatave elektorale dhe më pas do të fillojmë fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit”, tha Rama.
Erjon Veliaj që udhëheq listën e kandidatëve të qarkut Tiranë, do të kërkojë të votohet për një mandat të dytë. Kryesia e PS zgjodhi për Vorën Agim Kajmakun ndërsa për Kavajën u zyrtarizua Redi Kraja.
Ndërkohë për qytetin e dytë më të madh në vend Durrësin, me bekimin e Vangjush Dakos, pasardhësja e tij është Valbona Sako, propozim i vendosur në minutë të fundit, sikurse ai i Elton Arbanës në Shijak. Kruja mbetet e pandryshuar me Artur Bushin.
Qazim Sejdini ia lë stafetën për ta fituar përsëri Bashkinë Elbasan Gledian Llatjës, ndërkohë për Peqinin nuk është vendosur ende. Librazhdi për një mandat të dytë i është besuar Kastriot Gurrës.
Fieri nuk ka prodhuar asnjë kandidaturë surprizë. Armando Subashi futet në garë për një mandat të dytë ndërkohë, pas shqyrtimit të shumë emrave potencial, Fatos Tushe është përsëri i preferuari socialistëve për Lushnjën.
Për garën e Gjirokastrës socialistët hynë me një emër të ri atë të Flamur Golemit. PS ka preferuar përsëri Tërmet Peçin për Tepelenën dhe Luiza Mandin në Libohovë.
Bashkinë e Shkodrës drejtuar prej shumë mandatesh nga demokratët, socialistët duan ta fitojnë me Valdrin Pjetrin.
Pjerin Ndreu do të tentojë tja kthejë socialistëve Lezhën, ndërkohë beteja për Kurbinin i është besuar Majlinda Carës.
Ish-zëvendës ministri Arsimit Ervin Demo është i përzgjedhur në Berat. Adriatik Zotkaj kandidon për të blinduar mandatin e 5-të në Poliçan si kryebashkiak i përjetshëm.
Sotiraq Filos i është besuar një mandat i dytë për të çuar edhe më tej tranformimin e Korçës, por në Maliq një bashki me shumë probleme iu dha drita jeshile mbretërimit të Gëzim Topçiut për të marrë një mandat të gjashtë.
Me Safet Gjicin në Kukës e Rexh Biberajn në Tropojë socialistët kërkojnë qeverisjen e dy qyteteve bastione të PD, por nuk kanë vendosur ende kandidatin e Hasit.
Përzgjedhja e kandidatit të Dibrës nuk ka qenë e lehtë, por ka triumfuar në fund kandidatura e Dionis Imerajt.
Dritan Leli mbetet i preferuari socialistëve për një mandat të dytë në Vlorë, ndërsa kurimi i shumë plagëve urbane ndër vite në Sarandë i është besuar mjekut Ardian Gurma.
PS hyn në zgjedhjet e 30 qershorit me një standard të dyfishtë duke mos lejuar të kandidojnë ata kryebashkiakë që kanë më tepër se 3 mandate, teksa përjashtim bëjnë Adriatik Zotkaj në Poliçan që kandidon për mandatin e 5-të dhe Gëzim Topçiu, që synon të thyejë një rekord për një mandat të gjashtë në Maliq.
Top Channel