SHBA e braktisën marrëveshjen bërthamore, ndërsa Irani mbrohet. Dhe udhëheqja e Teheranit ka shumë mundësi për të shkaktuar në Lindjen e Mesme probleme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Prej vitesh, Irani e ka rritur fuqinë dhe ndikimin në Lindjen e Mesme. Për këtë shpesh ishte e mjaftueshme të shfrytëzonte gabimet e SHBA në rajon. Shembulli më i mirë: nën sundimtarin afatgjatë Saddam Hussein, Iraku ishte një kështjellë kundër Iranit. Por kur amerikanët e rrëzuan Sadamin 16 vjet më parë, ata i hapën Iranit derën dhe dritaren në Irak. Disa milicë irakianë, që luftuan kundër Shtetit Islamik, nuk janë besnikë ndaj Bagdadit, por ndaj Teheranit. Prandaj SHBA druhen tani se Irani mund t’i nxisë këta milicë për të ndërmarrë atentate kundër ushtarëve amerikanë në Irak.
Pavarësisht se ku e hedhin vështrimin elitat e formuara nga sunitët në botën arabe: në shumë vende ato shohin veprimet e Iranit, në shumicën e tij shiit. Riad Kahwaji nga Qendra Kërkimore Inegma në Dubai flet për deklaratat e Iranit.
“Kemi dëgjuar përfaqësues të qeverisë iraniane që mburren se tani kontrollojnë katër kryeqytete arabe: Sanaa-n, Bejrutin, Damaskun dhe Bagdadin. Kjo është sikur rusët të thoshin: ‘Mirë, po e shtrijmë ndikimin tonë në Lisbonë ose Madrid- pra në zemër të Evropës – dhe sikur pastaj të prisje që evropianët thjesht ta pranonin këtë.’
Hizbollatë dhe huthitë për Iranin
Një shembull tjetër për pasojat e pasynuara të politikës së gabuar amerikane në Lindjen e Mesme: hizbollatë, milicia dhe partitë politike në Liban. Shumë libanezë kritikojnë faktin se ata janë të armatosur rëndë – por pak e kundërshtojnë se vetëm Hizbollatë janë në gjendje të pengojnë Izraelin që të sulmojë Libanin. Zyrtarisht SHBA vërtet mbështesin ushtrinë libaneze, por nuk pranojnë ta furnizojnë atë me pajisje ushtarake, për të cilat ajo ka nevojë për mbrojtjen efektive të vendit. Për shkak të mbështetjes shumëvjeçare prej Iranit, Hizbollatë do të detyroheshin ta sulmonin në mënyrë masive Izraelin, nëse një sulm i përbashkët i izraelitëve dhe i amerikanëve do të kërcënonte mbijetesën e udhëheqjes iraniane.
Edhe një levë tjetër mund të përdorte Teherani: Rebelët Huthi në Jemen. Eksperti i pavarur jemenas Hafez Albukari numëron atë që kanë marrë Huthitë nga Irani vitet e fundit.
“Këshilltarë, mbështetje teknike, politike, dhe madje edhe ushtarake. Shumë herë janë zbuluar armë, me origjinë Iranin. Këtë mbështetje ata e marrin kryesisht përmes Hizbollave. Edhe në të menduarit strategjik, Hizbollatë u shërbëjnë si model Huthive.”
Po të vejë puna pisk, edhe Huthitë pritet të nxitojnë për ta ndihmuar Iranin, duke hedhur një numër të madh raketash kundër Arabisë Saudite ose duke bllokuar ngushticën detare Bab al-Mandab, aksesin në Detin e Kuq dhe në këtë mënyrë Kanalin e Suezit.
Dhe së fundi, Rripi i Gazës: Gjatë viteve të fundit, Irani i ka rritur përcjelljet financiare për Hamasët atje. Udhëheqja e Teheranit e sheh këtë si ndihmë për palestinezët e shtypur dhe si një mënyrë për të ngacmuar armikun e betuar, Izraelin.
Pas tërheqjes së kolonëve hebrenj nga Rripi i Gazës në vitin 2005, amerikanët hoqën dorë nga synimi i tyre për të zbatuar një hapje të zonës bregdetare kundër vullnetit të Izraelit. Që atëherë, epërsi atje kanë fituar ekstremistët. Frika e politikanit të ndjerë izraelit Shimon Peres se Gaza mund të bëhet një “Somali në Mesdhe” u bë realitet./DW
Top Channel