Donald Trump vazhdon ta mbajë të lartë presionin mbi Kinën. “Nuk ka absolutisht asnjë nxitim për të finalizuar marrëveshjen tregtare me Pekinin”, deklaroi ai, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dyfishuan tarifat mbi shumë produkte kineze.
“Bisedimet me Kinën do të vazhdojnë, por nuk ka arsye për të nxituar, sepse tarifat po iu paguhen sot Shteteve të Bashkuara prej saj në masën 25%, për mallra dhe produkte me vlerën 250 miliardë dollarë. Këto pagesa masive shkojnë drejtpërdrejt në Thesarin e SHBA-ve”, ka shkruar ai në Twitter.
Uashingtoni i rriti ndjeshëm tarifat duke vënë në jetë një paralajmërim të përpara disa ditëve, e kjo në kohën kur zëvendëskryeministri kinez, Liu He, dhe ekipi negociator amerikan pritej të rinisnin përpjekjet për të arritur një marrëveshje tregtare.
Më herët, po përmes Twitterit, Trump sqaroi se Shtetet e Bashkuara kanë humbur çdo vit 500 miliardë dollarë për shkak të asaj që e quajti “marrëveshje të çmendur me Kinën”. Shpresat e administratës së tij janë që tarifat e reja ta detyrojnë Pekinin të bëjë ndryshime në praktikat e tij tregtare, si dhe në ato të subvencioneve e trajtimit të pronës intelektuale.
Top Channel