Presidentët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, (BP) si edhe Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, vendeve nismëtare të procesit të Brdo-Brijunit, i bënë thirrje BE nga Tirana të enjten (09.05.2019) që ” të konsiderojë zgjerimin e tij në BP si një çështje me rëndësi gjeo- politike.”
Në deklaratën e përbashkët në përfundim të samitit të 7-të të këtij procesi, të zhvilluar në Tiranë, krerët e 6 shteteve të BP theksuan, se “integrimi i plotë i vendeve të BP në sistemin europian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm europian”.
Integrim i merituar jo për hir të rëndësisë gjeo-politike
Thirrja e 6 kryetarëve të shteteve të BP i drejtohet BE, kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shpresojnë që Këshilli i Bashkimit Europian të miratojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor ose në shtator të këtij viti. Të dyja vendet, pjesëmarrëse në samitin e Tiranës, kanë deklaruar se i kanë kryer “detyrat e shtëpisë” të lëna nga Komisioni Europian (KE) dhe meritojnë hapjen e negociatave të pranimit. Deklarata e përbashkët i mbështet shpresat e dy vendeve pikërisht në arritjet e tyre . Ajo bën të qartë se rëndësia gjeo-politike e zgjerimit të BE në BP nuk cënon parimin e meritave për të bërë progres drejt hyrjes në BE. Por liderët e BP kërkuan në samit cilësi dhe shpejtësi tjetër të negociatave.
Samiti i Brdo-Brijunit – Tiranë
“Rëndësia gjeo – politike e zgjerimit të BE në BP nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të Shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël dhe më i shpejtë” thekson deklarata e përbashkët.
Samiti i Tiranës mundësoi edhe shprehjen e mendimeve kundërshtuese në raport me deklaratën e përbashkët. Kolinda Grabar-Kitarovic, Presidente e Kroacisë, vendit anëtar të BE, tha në samitin e Tiranës se “BE ka interes të pamjaftueshëm për ҫfarë po ndodh në BP dhe një mungesë të të kuptuarit të situatës në Europën Jug-Lindore”. Por në deklaratën e përbashkët liderët e BP theksojnë që „mirëpresim përkushtimin e BE ndaj BP, edhe përmes Procesit të Berlinit, të Brdo-Brijunit dhe takimit të fundit në Berlin, me nismën e kancelares gjermane Merkel dhe Presidentit francez Macron me krerët e vendeve të BP; Kroacisë dhe Sllovenisë”. Samiti i Tiranës u zhvillua në mënyrë simbolike në Ditën e Europës , pas samitit të Berlinit për BP, të organizuar nga Merkel dhe Macron.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u takua me presidentin serb, Vuçiç
Thaҫi: Taksa mbetet në fuqi
Samiti mbështeti kushtëzimin e BE për progresin drejt anëtarësimit të vendeve aspirante në BP me zgjidhjen e çështjeve ende të hapura dypalëshe me fqinjët e vet. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbeti „patatja e nxehtë” edhe në samitin e Tiranës. Ky samit nuk ia doli mbanë të shënojë as progresin më të vogël për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi. Presidenti i Kosovës , Thaҫi, deklaroi në samit se „dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushte dhe taksa për mallrat serbe do të mbetet në fuqi”.
Protesta kundër Vuçiçit në Tiranë
Vuçiç- normalizimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare kërkon kohë
Armosfera e samitit në Tiranë ishte e nderë për Presidentin serb Aleksandër Vuҫiҫ. Ai u prit me protesta të organizuara nga dega në Tiranë e Lëvizjes Vetëvendosja e Kosovës dhe mbështetësit e saj që e konsideruan atë dhe liderin e Republikës Serbe në Bosnjë, Dodik „persona non grata me të kaluar kriminale në Ballkan”. Në fjalën e tij në samitin e Tiranës Vuçiç duke folur për bllokimin e dialogut tha se “kjo është keq për serbët dhe shqiptarët, dy kombet më të mëdha në Ballkan. Por bllokimi nuk do të zgjasë përgjithmonë. Zgjidhja e nomalizimit të marrëdhënieve serbo – shqiptarë kërkon një kohë të gjatë”, theksoi Vuçiç në samitin e Tiranës. BE e ka kushtëzuar hyrjen e Serbisë në BE me normalizimin më parë të marrdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës./DW
Top Channel