Ritmi i futbollit anglez është imponuar në kompeticionet e UEFA-s thuajse një dekadë pas finales së 2008 në stadiumin Luzhniki të Moskës. Asokohe përballeshin Celsi dhe Mancester Junaitid, një spot i krenarisë së vendit ku u shpik futbolli, diçka e rikthyer në modë së fundmi me rezultatet e turneve të UEFA-s.
Volumi i talentit, teknikës, entuziazmit dhe milionave të sponsorëve në kontrata dhe të drejta televizive, po jep fryte e një kampionati që edhe para këtij suksesi në Champions, konsiderohej më i forti në planet. Nuk është Mesi apo Kristiano Ronaldo, por Premier Liga vendos gjithçka në javën e fundit, tituj, kualifikime në Champions apo rënie nga elita.
Të drejtat televizive në Itali sjellin 924 milionë Euro nga të cilat më shumë se 10% shkojnë për Juventus. por në Angli janë 2.4 miliardë Paund që shpërndahen në mënyrë të barabartë te 20 ekipet elitare. Kjo reflektohet edhe në rritjen e ndjeshme në cilësinë e futbollit të kombëtares, ashtu siç tregoi edhe botërori i verës së kaluar në Rusi.
Në Angli preferojnë investimet afatgjata, pa u kushtëzuar në borxhe dhe huazime që krijojnë rrethe vicioze. Kjo dhe kuotat për të rinjtë e bëjnë futbollin në vendin e Mbretëreshës, të mos ndikohet nga politika e dallgëzuar nga Breksit dhe aspektet ekonomike. Futbolli për ta është nëj fe’ dhe nuk cënohet edhe kur milionat vijnë nga oligarkët rusë, apo manjatët e naftës në Arabi.
Top Channel