Papa Françesku nënshkroi këtë të enjte një masë që detyron ata që kanë dijeni mbi abuzimet seksuale në kishat katolike, që t’i raportojnë ato tek eprorët e tyre. E gjithë kjo ka ardhur pas një skandali global pedofilie në radhët e klerikëve.
Çdo dioqezë në botë do të jetë tashmë e detyruar të ngrejë një sistem për raportimin e abuzimeve, bazuar në ligjin e ri të publikuar nga Vatikani, megjithatë, kjo kërkesë e veçantë nuk do të aplikohet për sekretet gjatë rrëfimit te priftërinjtë.
“Është koha të mësojmë nga leksionet e ashpra të së kaluarës”, shprehej Papa Françesku në tekstin e dekretit ligjor, i cili vjen pas një serie rastesh ngacmimi seksual nga klerikët, që nga Australia deri në Kili, nga Gjermania deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Motu Proprio”, dokumenti ligjor i lëshuar këtë të enjte nën autoritetin personal të Atit të Shenjtë, deklaron se kushdo që ka njohuri mbi abuzime, apo dyshon për raste të tilla, është “i detyruar të raportojë menjëherë” në autoritetet kishtare, duke përdorur “sisteme lehtësisht të qasshme”.
“Edhe pse ky detyrim është lënë dikur në ndërgjegjen individuale të secilit, nga sot ai kthehet në një parim ligjor të themeluar globalisht” brenda kishës, tha Andrea Tornielli, kryeredaktor i Departamentit të Komunikimit të Vatikanit.
Ligji aplikohet vetëm në kisha dhe nuk ka forcën të detyrojë individët të raportojnë abuzimet tek autoritetet civile. Sipas masës më të re, çdo dioqezë në botë është e detyruar që nga qershori i vitit 2020 të krijojë një sistem për raportimin e abuzimeve seksuale nga ana e klerikëve, shfrytëzimin e fëmijëve për pornografi apo fshehjen e abuzimeve.
Top Channel