Gjatë intervistës së saj për “Open nga Eni Vasili” në Top Channel, kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku tha se transferimi i prokurorit të dosjes 339 ishte transferuar rastësisht.
“Në momentin që prokurori që i kishte këto çështje u caktua përkohësisht në një Prokurori tjetër, tërësisht një rastësi, dorëzoi dosjet dhe prokurorët që i morën konstatuan se kishte një numër shumë të madh disqesh të patranskriptuara (pazbardhura)”, tha Marku, e cila saktësoi se vetëm për dosjen 339 kishte rreth 700 CD.
Këtë sasi tejet të madhe, Marku tha se e kuptojnë vetëm ata që merren me këtë punë, e ndoshta jo edhe masa e gjerë e popullit. Duke qenë se duhet një numër i madh njerëzish për të zbardhur bisedat, kryeprokurja e përkohshme tha se kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i ka marrë të gjitha masat me caktimin e 4-5 oficerëve të Policisë Gjyqësore, ndërkohë që nga një prokuror janë bërë dy për secilën dosje.
Marku tha se ndonëse nuk dëshiron të mendojë se do të duhen “vite” për zbardhjen e tyre, deklaroi se sipas mendimit të saj personal nuk është lënë krejt rastësisht, por janë mbajtur qëllimisht kaq gjatë.
Të qëllimshme nga kush? “Sigurisht nga prokurori që e ka pasur. I ndikuar po, pastaj politikisht apo në ndonjë mënyrë tjetër nuk preferoj ta them. Por di që është mbajtur për një kohë shumë të gjatë dhe disqet ende të patranskriptuara, që në fakt të vrasin sytë se janë 700 jo pak për t’u harruar”, tha Marku.
Top Channel