Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, e cila garon për një mandat tashmë 7-vjeçar në krye të organit të akuzës, Arta Marku tregoi jo vetëm synimet e saj, por edhe punën e deritanishme në Prokurori gjatë intervistës së dhënë për Open nga Eni Vasili në ekranin e Top Channel.

Gjatë punës së saj, zonja Marku është ndeshur me disa dosje të nxehta. Ndonëse kemi një datë të dekretuar nga Presidenti i Republikës për zgjedhjet lokale, më 30 qershor, opozita ka qëndruar jashtë tyre me pretendimin se nuk do të ketë zgjedhje, pa u hetuar më parë shitblerja e votave për zgjedhjet e 2017-s.

Njëra prej tyre është “dosja 339”, apo siç njihet zyrtarisht “339-1”, prej së cilës janë shfaqur në publik përgjime të eksponentëve kriminalë, grupi i Avdylajve, në komunikim me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Por, përpara se të përgjigjej për këtë dosje, zonja Marku shpjegoi sesi funksionon sistemi i prokurorisë.

“Prokuroria nuk është më një organ i centralizuar, piramidal, në kuptimin që varet nga Prokurori i Përgjithshëm, por një sistem tërësisht i decentralizuar pas ndryshimeve të fundit kushtetuese të vitit 2016 dhe ligjeve që pasuan. Zot i çdo çështjeje penale janë vet prokurorët në krye tyre, duke u përgjigjur për hetimin, për zgjidhjen dhe japin llogari vetëm përpara gjykatës për vendimmarrjen e tyre. Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë informacion të detajuar për asnjë nga çështjet, nuk mund të marrë përsipër vet hetime, madje në Prokurorinë e Përgjithshme nuk bëhen më hetime. Kjo Prokurori ka vetëm të drejtën për të përfaqësuar çështje në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese”, tha zonja Marku, duke nënkuptuar kështu mosdijeninë e saj mbi dosjen e bujshme.

Megjithatë, informacioni që merr Prokurori i Përgjithshëm, sipas saj është i karakterit statistikor ose procedurial.

Por përse nuk përfundon hetimi i këtyre dosjeve? Sipas Markut, këto dosje janë mbajtur vetëm në fazën e hetimit, me përgjime pa fund dhe asnjë nuk është zbardhur në letër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA