Një tjetër dosje është ajo 184, me të njëjtin karakter, por për zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016, një dosje e cilësuar si më e bunkerizuar.
“Një dosje me të njëjtën problematikë si e para, me shumë CD të pazbardhura dhe fatkeqësisht e pashoqëruar me ndonjë veprim tjetër hetimor”, tha zonja Marku, e ftuar për intervistë nga Eni Vasili në “Open”.
Për këtë dosje, volumi i CD-ve nuk është edhe aq i lartë sa dosja tjetër, por gjithsesi ende nuk janë zbardhur. Dy prokurorë dhe disa oficerë të Policisë Gjyqësore po merren edhe me këtë dosje.
Të konsideruara nga opozita si “kutia e Pandorës”, Marku tha se janë dosje të rëndësishme dhe duhet të ketë material, pavarësisht se nuk ka dijeni pasi nuk ka të drejtë ta kërkojë informacionin.
Një dosje 3-vjeçare pa rezultat, prokurori i së cilës sërish u transferua për në një Prokurori tjetër. Pikërisht në këtë çast u konstatuan edhe vonesat e pashpjegueshme.
Tashmë në duart e prokurorëve të tjerë, Marku tha se shpreson që së shpejti të ketë vendimmarrje. Por a ka një limit për këto hetime?
“Afatet i vendos ligji dhe në momentin që regjistrohet një person si nën hetim, maksimumi hetimet duhet të përfundojnë për 3 vite”, tha prokurorja e Përgjithshme e përkohshme.
Top Channel