Tirana mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor për samitin e Brdo Brionit i thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Për këtë samit vjen edhe Shefja e Diplomacisë Europiane Federica Mogerini e cila pritet të përcjellë mesazhe të rëndësishme në lidhje me procesin e integrimit në BE, veçanërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Samiti i Brdo Brionit vjen fill pas atij të Berlinit të organizuar nga dyshja Merkel-Sarkozi.
Ish-Ambasadori i Shqipërisë në OKB Agim Nesho ishte sot në Top Talk për të diskutuar mbi efektet dhe pritshmëritë e këtyre dy samiteve.
Gjatë intervistës, zoti Nesho tha Europa ka zgjuar vëmendjen ndaj Ballkanit për shkak të presionit që disa vende po tentojnë të ushtrojnë në rajon, siç është Rusia, Turqia, apo Kina.
“Është zgjuar vëmendja e Europës ndaj Ballkanit për shkak të presionit që disa vende po tentojnë të ushtrojnë në rajon. Ballkani është një pjesë jetësore e interesave të Europës, Gjermania ka qenë më e qartë në qëllimet e saja.
Ajo nisi procesin e Berlinit, për t’i mbajtur këto vende dhe për t’iu treguar se e ardhmja e tyre është në BE. Dy fuqitë kryesore të Europës, Gjermania dhe Franca kanë një vëmendje të shtuar sepse i shtuar është edhe presioni që vjen nga vende si Rusia, Kina, Turqia, apo vende të tjera në periferi të Europës”, argumentoi ish-Ambasadori i Shqipërisë në OKB.
Më pas, zoti Nesho foli edhe për skepticizmin që vendet anëtare të BE kanë treguar për anëtarësimin e Ballkanit në union.
“Ka përpjekje për tu plotësuar kushtet teknike sepse Ballkani Perëndimor, ndryshe nga pjesë të tjera të Europës nuk pati momente politike, siç patën vendet e Baltikut. Ballkani Perëndimor përjetoi atë që është plotësimi i kritereve teknike që përafërsoheshin me atë të Bashkimit Europian. Samite të tilla, që sot fillon në Tiranë dhe nesër do të ketë veprimtarinë kryesore, janë procese të zakonshme sot gjatë periudhës së integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ka shumë iniciativa”, tha ai.
Top Channel