Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri një vizitë të paplanifikuar në Irak, në mesin e tensioneve në rritje me Iranin.
Pompeo anuloi një udhëtim në Berlin për tu takuar me liderët irakianë, gjatë një ndalese prej katër orësh në kryeqytetin Bagdad.
Vizita erdhi disa ditë pasi një luftanije amerikane u dislokua në rajon, çka zyrtarët thanë se ishte një reagim ndaj kërcënimeve mbi forcat amerikane dhe aleatët e SHBA nga Irani.
Të martën, u bë e ditur se SHBA do të dërgonte edhe bombarduesit B-52 në rajon. SHBA ka dhënë pak informacione për natyrën ekzakte të kërcënimeve të raportuara që Irani i ka quajtur të pakuptimta.
John Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare tha vetëm se SHBA po vepronte si reagim ndaj një numri të dhënash dhe paralajmërimesh shqetësuese ndërsa njoftonte për dislokimin e luftanijes USS Abraham Linkoln, të dielën.
Pak detaje janë dhënë edhe për vizitën e shkurtër të Pompeos në Irak. Sidoqoftë është bërë e ditur se ai është takuar me kryeministrin irakian, Adil Abdul Mahdi.
Pas takimit, ai i tha gazetarëve se vizita kishte të bënte me përshkallëzimin e fundit të marrëdhënieve me Iranin, që është një vend fqinj me Irakun.
Pompeo tha se ai donte të fliste me lidershipin në Irak për ta garantuar se SHBA do të garantojë që Iraku të mbetet një vend sovran dhe i pavarur.
Top Channel