Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, tha se kishte paligjshmëri në zgjedhjet lokale në Stamboll, pasi organi zgjedhor i vendit urdhëroi rizhvillimin e procesit.
“Ne sinqerisht besojmë se atje ka korrupsion të organizuar dhe paligjshmëri të plotë. Ne mendojmë se ky vendim është më i miri i mundshëm, do të forcojë vullnetin tonë për të zgjidhur problemet brenda kornizës së demokracisë dhe ligjit dhe do të përforcojë verdiktin e popullit”, deklaroi Erdogan.
Vendimi për rizhvillimin e zgjedhjeve, që sollën një fitore të ngushtë të opozitës në Stamboll, nxiti protesta. Kandidati fitues i opozitës foli për tradhëti. Parlamenti Evropian po ashtu tha se vendimi për rizhvillimin e zgjedhjeve më 23 qershor, do t’i jepte fund besueshmërisë së zgjedhjeve demokratike në Turqi.
Opozita e sheh lëvizjen e autoriteteve zgjedhore si një thyerje përballë presionit të Erdoganit. Ky i fundit, duke folur në një takim me deputetët e partisë së tij, insistoi se kishte parregullsi në zgjedhjet në Stamboll dhe se përsëritja e tyre mund të përbëjë një hap të rëndësishëm për të forcuar demokracinë. Ai tha se hajdutët kishin vjedhur vullnetin e popullit në kutitë e votimit në prill, duke shtuar se nëse kjo nuk do të merrej në konsideratë, atëherë populli do të kërkonte shpjegime prej politikës.
Top Channel