Sot në Top Talk ka qenë i ftuar bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri. Ai është përfaqësues i PS-së dhe do ta bashkëdrejtojë komisionin së bashku me deputeten e opozitës brenda parlamentit Rudina Hajdari. Realitetet e reja politike na detyrojnë që të specifikojmë edhe termat tashmë, opozita parlamentare dhe opozita jashtë-parlamentare.
Zoti Gjiknuri foli sot për reformën zgjedhore, duke thënë se ato nuk do të ketë efekt tek zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por do të bëhen me kodin e vjetër. Ndryshimet që theksohen në kodin zgjedhor, janë reflektime të OSBE-ODIHR-it, apo çështje të tjera që kanë dalë nga mjedisi politik, do jenë të adresueshme për zgjedhjet e tjera parlamentare. Sipas ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, reforma zgjedhore u sabotua për shkak të Partisë Demokratike.
“Puna e reformës zgjedhore u sabotua për shkak të PD që bëri Komisioni për reformën zgjedhore. Parimet e përgjithshme për reformën zgjedhore kanë qenë për konsensus dhe maxhoranca nuk mund të paraqiste një draft pa miratimin e opozitës. Tani që kemi një komision të ri të reformës zgjedhore, ku një pjesë e tyre janë pjesë e Partisë Demokratike dhe aktorë të ri politik, do diskutojmë edhe çështjen e votimit të emigrantëve”, u shpreh Gjiknuri.
Më tej, ai tha se PS e ka gati draftin për reformën dhe se brenda qershorit paketa e re do jetë gati.
“Që në fazën e parë të përpilimit të reformës zgjedhore, Partia Socialiste e ka paraqitur në kohën kur Komisionin bashkërendonte me Partinë Demokratike. Ky produkt do diskutohet shumë shpejt në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe brenda qershorit, paketa e parë do jetë gati, që adreson rekomandimin e OSBE/ODIHR-it. Pjesa tjetër e drafti i përket çështjes së teknologjisë zgjedhore, çështja e votimit të emigrantëve. Kemi diçka të parapërgatitur dhe për të respektuar edhe formatin e reformës zgjedhore, kjo gjë duhet të dalë një produkt i përbashkët, ku PS do të bëjë propozimet e saja. Reformat kryhen nga partitë parlamentare dhe partitë parlamentare janë në Parlament. Fakti që PD zgjidhi rrugën e braktisjes, kjo nuk mund të pengojë reformën zgjedhore. Nga ana tjetër, për të marrë në konsideratë vlerësimin politik edhe të atyre që janë jashtë Parlamentit, ne ua mundësuam këtë të drejtë edhe në kufijtë e ligjit. Në iu dhamë një të drejtë vëzhguesi apo dhe më të drejta të plota propozimi, qoftë edhe vetoja për çështje të caktuar, që ajo të ndihej e përfaqësuar. I ezauruam të gjitha mundësitë që ata të jenë pjesë e këtij procesi ”, sqaroi bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Top Channel