Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua me homologun e tij rus Sergey Lavrov, mes tensioneve ndërmjet dy vendeve për krizën politike në Venezuelë.
Përpara takimit të hënën në Finlandë, Sekretari Pompeo theksoi se ai kërkon që Rusia të ndalë ndërhyrjen në Venezuelë.
“Do t’i them (Lavrovit) të njëjtën gjë që mendoj se Presidenti i tha botës: të gjitha vendet duhet të heqin dorë, përfshirë rusët”, i tha Sekretari Pompeo kanalit Fox News. “Këtë do t’i them. Nuk duam ndërhyrje nga ndokush në Venezuelë”.
Takimi mes Sekretarit Pompeo dhe Ministrit të Jashtëm rus Lavrov në Finlandë vjen një ditë pasi zoti Lavrov u takua në Moskë me Ministrin e Jashtëm të Venezuelës, Jorge Arreaza.
Zoti Arreaza u tha sot gazetarëve se Venezuela mund të zgjerojë përdorimin e ushtrisë ruse, ndërsa vendi po lufton përpjekjet e udhëheqësit opozitar dhe president i përkohshëm i vetëshpallur Juan Guaido, për largimin e Nicolas Maduros që ka sunduar vendin për një kohë të gjatë.
Shtetet e Bashkuara kanë njohur zotin Guaido si udhëheqës të Venezuelës dhe mbështeti javën e kaluar përpjekjen e opozitës venezueliane për të ngjallur një rebelim ushtarak, i cili përfundimisht dështoi.
Javën e kaluar, Sekretari Pompeo i tha nëpërmjet telefonit zotit Lavrov se “ndërhyrja e Rusisë dhe Kubës po destabilizon Venezuelën dhe marrëdhënien dypalëshe SHBA – Rusi”. Zoti Pompeo gjithashtu i bëri thirrje Rusisë të ndalë mbështetjen për Maduron.
Uashingtoni e ka akuzuar Rusinë se arritë të bindë Maduron të mos largohej nga vendi. Moska e ka mohuar këtë akuzë.
Sekretari Pompeo është duke marrë pjesë në takimin e Këshillit të Arktikut në Finlandë, ku janë vende anëtare SHBA-ja dhe Rusia.
Top Channel