“Siç e shikoni sot vazhdoj detyrën si rektor. Nga ana ime nuk do të ketë asnjë ngërç, unë jam i hapur dhe do të bashkëpunoj vazhdimisht me ministrinë dhe çdo institucion”.
Ky është reagimi i Rektorit të Universitetit të Tiranës, i cili u rikthye në detyrë pas mos shkarkimit të presidentit Ilir Meta. 24 orë pas vendimit të kreut të shtetit, ministrja Shahini deklaroi se është e zhgënjyer me vendimin e Presidentit i cili sipas saj dëmton më shumë se 26 mijë studentë e Pedagogë.
“Presidenti me vendimin e tij, me apo pa vetëdije, i keq-orientuar apo i keq-këshilluar, aprovoi shkeljet ligjore të rektorit Koni dhe i dha një porosi të gabuar qytetarëve të Republikës së Shqipërisë në përgjithësi dhe studentëve e pedagogëve të UT-së në veçanti. Porosia se ai nuk do të luajë asnjë rol pozitiv në zgjidhjen e ngërçit absurd në Universitetin e Tiranës, por përkundrazi do të qëndrojë në anën e krijuesit të ngërçit, është një lajm i keq për të gjithë. Përveçse për rektorin e kthyer në detyrë edhe pse shkeli ligjin dhe bllokoi universitetin” – tha ministria e arsimit, Besa Shahini.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidencës nëpërmjet zëdhënësit.
“Presidenti Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Tiranës, z. Myhnyr Koni ka folur me argumeta ligjorë e më gjatë se kurdoherë tjetër. Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë në zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakort me argumentat ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë porçedurat që dikton ligji, përtej retorikave boshe. Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre”.
Top Channel