“Ne nuk do t’i ndalojmë jetën Edi Ramës. Nëse ai jeton i izoluar nga shtëpia në Surrel në Kryeministri dhe në godinën e Kuvendit, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Ai mund të hyjë dhe në bunker dhe të qeverisë nëpërmjet Facebook-ut. Edi Rama nuk ka më mbështetje nga qytetarët dhe ata po e bllokojnë”.
Kështu u shpreh ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja, kur u pyet se përse opozita nuk bllokon Ramën, por qytetarët.
Salianji nuk beson se këto protesta mund t’i kthehen në “boomerang” opozitës për dy arsye: “E para, janë protesta të paralajmëruara. E dyta, tregojnë që Shqipëria nuk mund të ketë normalitet politik, social, ekonomik duke u uzurpuar pushteti politik në mënyrë të kundraligjshme nga ana e njërës palë”.
Salianji shtoi se në Korçë, ku ai ishte i pranishëm në protestën e fundit të opozitës, “shumica e atyre që kalonin në rrugë lanë makinat dhe iu bashkuan protestuesve”.
Top Channel