Shtyrja e hapjes së negociatave nga Komsioni Europian vitin e shkuar ka marrë edhe një shpjegim nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të aplikacionit “Ambasada Ime”.
“Faktikisht ne e dimë si fakt se mosdhënia e PO-së menjëherë qershorin e shkuar, në bazë të rekomandimit të komisionit, lidhet me zgjedhjet europiane të këtij maji, ky është fakt”, tha Rama.
Edhe për kryeministrin mbetet e paqartë nëse ky qershor do të shënojë hapjen përfundimtare të negociatave dhe vazhdimin e mëtejshëm të procesit të integrimit: “Kush e di çfarë do të ndodhë në qershor? Dhe kur them kush e di ça do bëhet, e them se përsëri duhet të presim ditën, duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve europiane dhe duhet të shikojmë se në ç’raport gjenden vendet europiane në raport me këtë nevojë tonën”.
Ambasadorëve të Bashkimit Europian, Rama u bëri thirrje qe përplasjet e brendshme politike të mos pengojnë integrimin e Shqipërisë: “Dua t’iu them se për ne nuk ka rrugë tjetër. Është e vetmja rrugë, pavarësisht se çfarë ndjejmë ne kur kalojmë detin në këmbë se ka një problem këtu, një problem atje”.
“Ama ju lutem, bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociata e brendshme, të kthehet në një lojë me zjarrin, këtu në vendin tonë. Këtë Shqipëria nuk e meriton, as shqiptarët. Dhe sigurisht kjo është përgjegjësi e shqiptarëve dhe e përfaqësuesve politikë. Por, ka diçka shumë të rëndësishme që ju dhe vendi juaj e ka në dorë. Ta nxjerrë çështjen e integrimit dhe të negociatave nga loja politike duke i hapur negociatat, duke e bërë të pamundur që një palë apo një palë tjetër të marrë peng integrimin. Dhe të shfrytëzojnë pikërisht vështirësitë për çeljen e negociatave si benzinë për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike”, shtoi Rama.
Rama gjithashtu foli për votën e emigrantëve si edhe për marrëveshjen me Greqinë që, sipas tij, po kërkohet rruga e arsyes.
Top Channel