Pa gola ka përfunduar ndeshja e dytë e kësaj të shtune në Serie A, ajo mes Udinezes dhe Interit, e vlefshme për javën e 35-të të kampionatit italian.

Një barazim ky që kënaq më shumë Udinezen, që merr një pikë më shumë në luftën për mbijetesë, ndërsa zikaltrit nuk arrijnë dot të shkëputen nga ndjekësit më të afërt në betejën e ashpër për një vend në Champions League.

Friulanët i kanë shpëtuar më së miri pësimit të golit në minutën e 22-të, kur topi i goditur nga Lautaro Martinez u ndal në shtyllë, ndërsa më pas, protagonist i ndeshjes u bë portieri Musso i Udineses. Nëse në pjesën e parë bëri “heroin” ndaj Nainggolanit, në të dytën shpëtoi portën e tij në dy raste, përballë De Vrij dhe Keita.

Udineze me 34 pikë nuk e ka matematikisht të sigurtë qëndrimin në elitë, pasi Empoli është në kuotën e 29 pikëve dhe pritet të luajë ndeshjen e tij të dielën.

Po këtë fundjavë do të luhet edhe supërsfida në luftën për Champions, ajo e pagëzuar ndryshe si “derbi i shqiptarëve”, pasi Lazio e Strakoshës do të përballet me Atalantën e Berishës, me bergamaskët që janë aktualisht në vendin e katërt, përpara Romës, Torinos, Milanit dhe Lazios.

Top Channel