Doha, Diamond League/ Semenya dominon në garën e 800 m

04/05/2019 13:25

Doha priti atletët më të mirë të botës teksa në këtë qytet u zhvillua ndalesa e parë e Diamond League në atletikë, Vëmendja më e madhe ishte te gara e 800 m për femra ishte edhe Caster Semenya që ditët e fundit është bërë protagoniste e polemikave të shumta për shkak të vendimit të IAAF që e detyron atë dhe sportistet e tjera me hiperandrogenizëm që të marrin kurë hormonale për uljen e nivelit të testosteronit në 5 nanomol për një litër gjaku.

Një vendim që u kundërshtua nga Semenya, ndërkohë që kritikat në drejtim të IAAF janë rritur ndjeshëm pasi e gjithë kjo konsiderohet diskriminim. Përsa i përket garës Semenya e dominoi atë duke vendosur edhe një rekord të mitingut me 1 minutë 54 sekonda e 98 të qintat duke lënë shumë prapa Francine Niyonsaba në vendin e dytë.

Rekord i mitingut u vendos edhe në garën e 400 m me pengesa për femra nga amerikania Dalilah Muhammad me 53.61 sekonda duke lënë pas bashkombasen e saj Ashley Spencer dhe ukrainasen Ana Rizhikova. Në 800 m për meshkuj triumfoi atleti nga Botsvana Amos me kohën 1 minutë 44 sekonda e 29 të qintat i ndjekur në vendin e dytë nga keniani Korir dhe amerikanin Brazier në të tretin,

Në hedhjen e diskut për meshkuj shkëlqeu suedezi Daniel Stahl me prej 70.56 m duke lënë pas Weisshaidinger në vendin e dytë dhe Hadadin në të tretin. Në 100 m me pengesa për femra, fitorja e Diamond League të Dohas i takoi xhamajkanes Danielle Williams e ndjekur nga Tobi Amusan dhe Sharika Nelvis në vendin e dytë dhe të tretë.

Maroku triumfoi në garën e 3000 m për meshkuj dhe këtë e bëri me Soufiane El Bakkali me kohën 8 minuta 7 sekonda e 22 të qintat, i ndjekur nga Hillary Bor dhe keniani Bett në vendin e dytë dhe të tretë. Ndërsa në 200 m për meshkuj fitoi turku Ramil Guliyev me 19.99 sekonda i ndjekur nga Quinonez dhe Aaron Brown.

Top Channel