Bashkimi Europian dhe BERZH kanë prezantuar në kryeministri një projekt 100 milionë euro për turizmin në Shqipëri. Kryeministri Rama i pranishëm në takim vlerësoi këtë kontribut të dy institucioneve.
Një program i përbashkët me vlerë 100 milionë euro, nga Bashkimi Europian dhe Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, do të përdoret për vijimin e projekteve transformues të Rilindjes Urbane e Rurale, me fokus turizmin duke përdorur trashëgiminë kulturore në qytetet e Korçës, Shkodër, Fier dhe Beratit.
“Kjo marrëveshje e re, e cila do t’i shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues të turizmit në Shqipëri, është edhe një shprehje kuptimplotë e vlerësimit dhe e besimit të këtyre institucioneve tek rruga dhe strategjia e përzgjedhur prej nesh, përmes rrugës së Rilindjes Urbane dhe të asaj rurale. Është një projekt, i cili, përpara se ne t’i jepnim formë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, do të ishte i pamundur. Nuk bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për një komponent, për infrastrukturën, apo për ujin, apo për diçka tjetër, por bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për programe të integruara dhe do t’i bashkëngjitet një harte veprimesh dhe ndërveprimesh të paracaktuara dhe fondeve të tjera”, tha Rama.
Presidenti i BERZH, Suma Chakrabarti shpjegoi se përse banka që ai drejton u përfshi në këtë program.
“Turizmi është një sektor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ekziston një potencial shumë i madh edhe për turizëm me trashëgiminë kulturore . Ne dëshirojmë të forcojmë të gjithë zinxhirin e kompanive private në këtë sektor”, tha ai.
Luigi Soreca, kreu delegacionit të BE tha se kjo iniciativë e re do t’i shërbejë rritjes ekonomike përmes një turizmi cilësor dhe të qëndrueshëm.
Top Channel