Top Talk/ Bujar Sheshi, ish-sigurims? Ibrahimi: Nuk kemi asnjë rol, i takon Autoritetit të Dosjes kjo çështje

03/05/2019 16:24

Në studion e Top Talk ka qenë i ftuar, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, i cili u pyet edhe për rastin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, cili u akuzua nga Autoriteti i Dosjeve si bashkëpunëtor i sigurimit.

Zoti Ibrahimi tha se këshilli nuk ka asnjë rol dhe që kjo i takon Autoritet të Dosjeve. Ky institucion sipas kreut të KLP-së, nuk ka kthyer përgjigje dhe se gjykata e ka rrëzuar vendimin.

“Ka një vendim të Autoritetit të Dosjeve, që e cilëson zotin Sheshi si ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Ne si Këshill nuk kemi asnjë rol në thelbin e kësaj çështjeje, pra ka qenë apo s’ka qenë zoti Sheshi bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, por i takon autoritetit të dosjeve. Ata thanë që ka qenë, por i takon zotit Sheshi që të sfidojë këtë vendim të Autoritet të Dosjeve dhe ai e ka bërë. E ka sfiduar në rrugë administrative, tek vetë Autoriteti i Dosjeve, sepse kështu e parashikon ligji, që edhe apelimet kundër Autoritetit të Dosjeve, shqyrtohen po nga ai Autoritet. Ata nuk i janë përgjigjur asnjëherë. Zoti Sheshi ndoqi rrugën gjyqësore, gjykata e rrëzoi vendimin. Unë do të doja që ata të thoshin se e konfirmojnë vendimin. Tashmë kjo ka humbur rëndësinë e saj sepse gjykata tha se vendimi i Autoritetit të Dosjeve është i pavlefshëm. Këto kushte nuk verifikohen nga vettingu”, përfundoi zoti Ibrahimi.

Top Channel