Mbrëmjen e kësaj të enjteje do të luhen ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të Europa League.

Sfida më interesante duket ajo që do të luhet në “Mestalla”, mes Valencias dhe Arsenalit. Kthimi në Spanjë është diçka e vecantë për trajnerin e “topçinjve” të Londrës, Unai Emery, që e ka drejtuar skuadrën e Valencias në periudhën 2008-2012.

Valencia nuk ka shkuar prej 5 vitesh kaq larg në këtë kompeticion, e tani mes saj dhe finales së Bakusë është Arsenali. Por, për këtë ndeshje, Valencia ka disa probleme, pasi nuk do të ketë Kondogbianë të dëmtuar dhe Coquelin të skualifikuar.

Edhe Arsenali ka telashet e tij, pasi ka 5 mungesa të rëndësishme si Ramsey, Denis Suarez, Bellerin, Welbeck dhe Holding, por në fushën e lojës do të jenë pikërisht Aubameyang dhe Lacazette, që do të jenë kërcënimi kryesor për skuadrën spanjolle.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale është ajo që do të luhet mes Eintrachtit të Frankfurtit dhe Chelseat. Skuadra gjermane ka regjistruar 11 ndeshje pa humbje në shtëpinë e saj në Europa League, 9 nga të cilat janë fitore, ndërkohë që Chelsea ka një rekord për t’u pasur zili, me 11 fitore dhe një barazim këtë sezon.

Problemi për Eintrachtin është mungesa e dy sulmuesve, Ante Rebiç i skualifikuar dhe Sebastian Haller i dëmtuar. Por, edhe Chelsea ka mungesat e tij, megjithatë londinezët duken të favorizuar përballë Eintrachtit, që gjithsesi mund t’iu shkaktojë dëme nëse i qëndron besnik stilit të tij të lojës.

Top Channel