Qeveria parashikon ndryshimin e Kodit Penal për të sanksionuar dënimin me burg për ata prodhues ushqimesh që abuzojnë me hormonet e rrezikshme apo kimikatet e ndaluara. Kryeministri tha se ndëshkimin më shembullor, të heqjes së lirisë së aktivitetit, dhe individuale. Dënimet parashikohen nga tre deri ne 10 vite burgim.

Disa investigime në emisionin Fiks Fare, Top Story dhe raportimet e shpeshta nga departamenti lajmeve në Top Channel nga ku janë përcjellë fakte tronditëse dhe alarmante, për sigurinë ushqimore, detyrojnë qeverinë të ashpërsojnë masat e dënimit në Kodin Penal.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist kryeministri Edi Rama shpjegoi nevojën urgjente për këto ndryshime në kodin penal që lidhen me sigurinë ushqimore duke theksuar se forcat e keqes që guxojnë të kërcënojnë shëndetin e fëmijëve tanë duhet tu rezervojmë ndëshkim shembullor.

“Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në çdo mënyrë të ushqimeve, pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave dhe si futja në prodhim të kimikateve, materialeve dhe lënë shtesë në përpunimin e artikujve ushqimore dhe pijeve do të dënohet me burg. Pastaj sasinë e dënimit, personalisht nuk jam dakord se më duket e vogël, le ta diskutojë Komisioni”, tha kryeministri Rama.

Top Channel disponon ndryshimet në Kodin Penal e më konkretisht të nenit 288 i cili është riformuluar duke iu shtuar tre dispozita të reja, që synojnë ndalimin e prodhimit dhe shitjes së ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin.

Ndryshimet e reja parashikojnë dënime me burg, dhe synojnë ndalimin e importit prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve , pijeve, barnave dhe artikujve të tjerë ushqimorë jashtë afatit të përdorimit, dënimin e mashtrimit me produkte ushqimore si dhe ndalimin e thyerjes, heqjes, zëvendësimin e shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë.

Dënime më të ashpra parashikohen në tre nenet e reja, në rastet e bashkëpunimit për kryerjen e veprës penale, përsëritjes, rastet kur shkaktohet dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ose vdekja e njeriut, vdekja e fëmijëve apo grave shtatzëna.

Top Channel