Lufta për testosteron, refuzohet kërkesa e atletes për të mos e ulur nivelin e hormonit

02/05/2019 12:41

Ditën e mërkurë Gjykata e Arbitrazhit sportiv vendosi të refuzojë kërkesën e Caster Semenyas, atletes afrikano Jugore që prej 10 vitesh është në një luftë të hapur me Federatën Ndërkombëtare të Atletikës për shkak të çështjes së gjinisë së saj.

Në vitin 2018 IAAF vendosi të ndryshojë rregullat duke kërkuar që sportistet me hiperandrogenizëm të kurohen për të ulur nivelin e testosteronit, një rregull që shtyu Semenyan të apelojë në CAS me këtë të fundit që nuk e pranoi edhe pse shfaqi dyshimin për rregullin e IAAF.

Semenya pretendon se ndaj saj po bëhet diskriminim, ndërkohë që përfaqësuesit e saj ligjorë e konsiderojnë marrjen e kurës hormonale për të ulur nivelin e testosteronit si diçka të gabuar në aspektin etik dhe si një rrezik për shëndetin. Sipas IAAF, sportistet me hiperandrogenizëm janë në avantazh në mënyrë të padrejtë dhe kjo është arsyeja që ky institucion vendosi këtë rregull.

Në aspektin shkencor, pothuajse të gjithë specialistët janë të mendimit se  testosteroni bën diferencën dhe meshkujt në përgjithësi janë 10-12% më të fortë se femrat. Nga ana e saj IAAF publikoi një studim sipas të cilit femrat me nivel të lartë të testosteronit bëjnë një paraqitje 3% më të mirë se koleget e tyre, por disa akademikë theksojnë se ka gabime në 17-32% të të dhënave. Ndërkohë kritikat në drejtim të organizmave sportivë që për vendosjen e kriterit biologjik janë shtuar shumë pasi po thjeshtëzojnë shumë një çështje që në të vërtetë është shumë komplekse, siç është ajo e të përcaktuarit se çfarë është e drejtë

Top Channel