Udhëheqësi i opozitës Venezueliane, Juan Guaido, bëri të martën thirrjen e tij më të fortë ndaj ushtrisë për të ndihmuar atë që të rrëzojë Presidentin Nikolas Maduro, megjithëse u pa se nuk kishte shenja humbjeje të udhëheqjes së forcave të armatosura nga an e këtij të fundit.
Disa dhjetëra trupa të armatosura që shoqëronin Guaidon, u përleshën me ushtarët që mbështetën Maduro në një tubim në Karakas të martën, ndërsa protestat e mëdha anti-qeveritare në rrugë, u kthyen të dhunshme.
Por një paqe e përkohshme u kthye të martën pasdite dhe nuk duket të ketë shenja të një përpjekjeje të menjëhershme nga ana e opozitës, për të marrë pushtetin nëpërmjet forcës ushtarake.
Zyrtarët nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump thanë se tre besnikët kryesorë të Maduros, ishin dukshëm në bisedime me opozitën dhe treguan se do të mbështesin një tranzicion paqësor të pushtetit.
“Ata negociuan për një kohë të gjatë për mjetet e rivendosjes së demokracisë, por duket se sot ata nuk po veprojnë”, tha i dërguari i SHBA për Venezuelën Elliott Abrams, ndërsa këshilltari i sigurimit kombëtar i SHBA John Bolton tha: “Të gjithë ishin dakord që Maduro duhej të largohej”.
Këta tre u identifikuan si ministri venezuelas i mbrojtjes Vladimir Padrino, kryetari i gjykatës Supreme Maikel Moreno dhe komandanti i rojës presidenciale Ivan Rafael Hernandez Dala. Ambasadori i Venezuelës Samuel Moncada hodhi poshtë deklaratën e Boltonit, duke e cilësuar si “propagandë”.
Më parë të martën, Padrino tha në një transmetim, i rrethuar nga burra me uniformë, se forcat e armatosura do të vazhdonin të mbrojnë kushtetutën dhe “autoritetet e ligjshme” dhe se bazat ushtarake funksiononin normalisht, ndërsa Moreno bëri një thirrje për qetësi në Twitter.
Guaido, në postimet në Twitter, shkruan se ai kishte filluar “fazën përfundimtare” të fushatës së tij për të rrëzuar Maduro, duke i bërë thirrje venezuelianëve dhe forcave të armatosura të mbështesin atë gjatë protestës masive në rrugë, të planifikuar për sot.
“Momenti është tani!” Shkroi ai. “E ardhmja është e jona: njerëzit dhe Forcat e Armatosura u bashkuan”.
Top Channel