Tenis, Wimbledon shton shpërblimet. Fitojnë edhe humbësit!

30/04/2019 17:36

Turneu i Wimbledon është një prej “Grand Slam”-eve të tenisit më të lakmuar për sportistët elitarë dhe ndeshjet në këtë eveniment zgjojnë kërshërinë e mijëra tifozëve të gatshëm për të shpenzuar jo pak për t’i parë nga afër apo nëpërmjet ekranit të vogël.

Aktiviteti që mbledh më të mirët e globit këtë vit do të shtojë dozën e shpërblimeve. E përkthyer ndryshe, do të fitojnë edhe humbësit më të këqinj.

Edicioni i vitit 2019 që do të zhvillohet nga 1 deri në 14 korrik do të shpërndajë përfitime deri në 44 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej thuajse 12% krahasuar me vitin e kaluar. Fituesi i turneut të meshkujve dhe triumfuesja në kategorinë e femrave do të marrin secili thuajse 3 milionë euro.

Nënvizohet gjithashtu një bonus i majmë edhe për kualifikueset dhe 3 raundet e para të tabelës kryesore.

Edhe një tenist apo teniste që do të eliminohet në provën e parë, do të fitojë 52 mijë euro.

Top Channel