Rennes është skuadra që ka ngritur trofeun e Kupës së Francës, pasi mundi në finalen e kompeticionit kampionët e Paris Saint-Germain.

Në stadiumin “Saint Dennis”, skuadrat u bënë protagoniste të një ndeshjeje “të çmendur”, që zgjati 120 minuta dhe që u zgjidh nga gjuajtjet e 11-metërshave.

Koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën në barazim 2-2, me Paris SG që lejoi t’i shpëtonte nga duart një fitore më se e sigurtë. Kampionët e drejtuar nga Tomas Tuchel kaluan në avantazh të dyfishtë në këtë ndeshje, fillimisht me golin e Dani Alves, e më pas me atë të Neymar, në minutat 13 dhe 21.

Por, parizienët nuk ishin në gjendje të ruanin avantazhin. Autogoli i Kimpembe riktheu Rennes në lojë, ndërsa Mexer barazoi në 2-2. Në kohën shtesë ndodh edhe “çmenduria” e Mbappe, që shkaktoi një ndërhyrje shumë të rëndë duke u ndëshkuar me karton të kuq.

Situata nuk ndryshoi pas kohëve shtesë dhe skuadrat iu drejtuan serisë së 11-metërshave, ku u deshën plot 12 të tillë për të mësuar fituesin. Fatal për PSG-në u bë gabimi i Nkunku, duke i dhënë mundësi Rennes të ngrejë këtë trofe për të tretën herë në historinë e saj, pas sukseseve në vitet 1965 dhe 1971.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA