Denveri i jep fund aventurës së San Antonios në “play off”-et e NBA-së. Nuggets fituan ndeshjen e 7 ndaj skuadrës teksane me rezulatin 90-86, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve 4-3 me të për t’u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Pepsi Center”, Denver mori kontrollin e lojës që në fillim, për ta ruajtur deri në fund të ndeshjes, e si kundërshtar të radhës do të ketë pikërisht Portland Trailblazers. Njeriu i ndeshjes për Denverin u bë Nikola Jokiç, që e mbylli sfidën me 21 pikë, 15 topa në tabelë dhe 10 asiste.

Te skuadra teksane, më i miri në parket ishte Rudy Gay me 21 pikë, ndërsa Lamarcus Aldridge spikati me 11 topa në tabelë.

Në Konferencën e Lindjes, ndërkohë, nisi faza gjysmëfinale me sfidën mes Torontos dhe Philadelphias. Skuadra kanadeze e fitoi përballjen e parë me “76ers” 108-95, duke marrë kryesimin në 1-0.

Raptors e dominuan këtë sfidë për pjesën më të madhe të kohës. Në fakt, Philadelphia i rezistoi Torontos vetëm në minutat e para të sfidës, deri në rezultatin 7-7, e më pas gjithçka foli për kanadezët, që lëshuan frerët duke vendosur përfundimisht diktatin e tyre në fushën e lojës.

Protagonisti absolut i ndeshjes për Toronton u bë Leonard, i cili e mbylli sfidën me 45 pikë personale, që përbën një rekord absolut për të sa i përket fazës së “play off”-eve. Mjaft mirë bëri edhe Paskal Siakam, që shënoi 29 pikë në këtë përballje. Ndërsa te Philadelphia nuk mjaftuan 16 pikët e Joel Embiid, ndërsa më mirë sesa ai bëri JJ Reddick, me 17 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA