Një 43-vjeçar shqiptar, i dënuar me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e një fermeri në Shqipëri, ka mundur të shfrytëzojë lirinë me kusht për t’u zhdukur, duke lënë të habitura autoritetet e drejtësisë britanike.

Hektor Mahmutaj, 43 vjeç, ka hyrë në Britaninë e Madhe i fshehur në një kamion, ndërkohë që në Shqipëri ka një dënim në mungesë për vrasje. Në tetor të vitit të kaluar, gjykatësi Tan Ikram vendosi që ai të ekstradohej në Shqipëri. E pavarësisht se Mahmutaj kishte një sërë dënimesh në ishull, përfshi për zotërim armësh zjarri, ai u lirua me kusht.

Duke qenë një shtetas jo i Bashkimit Europian, ai iu referua një tjetër gjykatësi për vendimin final. Sajid Javid la në fuqi vendimin në fund të vitit të kaluar, duke i hapur rrugë kështu ekstradimit.

Por, tabloidët britanikë raportojnë tashmë se Mahmutaj ka shkelur lirinë me kusht dhe është arratisur. Vendndodhja e tij nuk dihet. I dënuari për vrasje mohon akuzat, por ndërkohë nëse ekstradohet në Shqipëri do të rigjykohet për shkak se gjyqi i tij fillestar është kryer në mungesë.

“Sekretari për Punët e Brendshme ka firmosur urdhrin e ekstradimit të Mahmutajt në fund të vitit të kaluar, ndaj dhe ne vazhdojmë të kërkojmë ekstradimin e tij”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office). “Vonesa në këtë rast është pasojë e faktit që Mahmutaj nuk e ka respektuar lirinë me kusht dhe është arratisur”.

Ndërkohë, një deputet konservator, Philip Davies reagoi menjëherë me kritika ndaj sistemit juridik. “Ky zhvillim thjesht po nënvizon se në ç’farsë është kthyer sistemi ynë i drejtësisë dhe sesa perverse apo idiote janë disa vendime gjyqësore. Njerëzit po vihen në rrezik pa shkak për këtë arsye”, tha ai.

Mahmutaj kundërshton ekstradimin, pasi sipas tij do t’i shkelen të drejtat e njeriut. Por, ai është një prej të “shumëkërkuarve” në listën e Interpolit për vrasje me paramendim dhe prodhim e zotërim të armëve luftarake dhe municioneve. Ai është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Gentjan Jahaj, në korrik të vitit 1997.

Në dhjetor të atij viti, Mahmutaj mundi të hynte në Britani, ku ka jetuar përgjatë këtyre viteve duke përdorur 13 emra të ndryshëm vetëm e vetëm që të shmangte arrestimin. Por, prej vitit 2002, shqiptari që jeton në Huyton të Liverpoolit, është hetuar dhe burgosur disa herë, edhe pse ka shmangur deri më sot ekstradimin për shkak të pseudonimeve që përdorte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA