Partizani do të zbresë sot në fushë për të kërkuar fitoren e radhës në javën e 31-të të Superligës dhe për të mbyllur sa më shpejt llogaritë me titullin kampion.

Të kuqtë do të presin Laçin në “Selman Stërmasi”, në një sfidë ku trajneri Skënder Gega duhet të bëjë llogaritë me shumë mungesa, por nuk e ka fshehur synimin për të dalë me pikë maksimale.

Kryeqytetasit kryesojnë renditjen me 61 pikë, 10 më tepër se Kukësi i vendit të dytë dhe kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi, janë shumë pranë shpalljes kampionë edhe matematikisht.

Nga ana tjetër, Laçi synon një vend në kupat e Europës dhe pasi dështoi në Kupën e Shqipërisë, do ta kërkojë këtë arritje nëpërmjet kampionatit. Megjithatë për t’u renditur në 3-shen e parë, do t’i duhet të largohet me pikë të plota sot nga kryeqyteti.

Partizani-Laçi do të startojë në orën 19:00 në Supersport 3, ndërsa 45 minuta para dhe rreth 60 minuta pas sfidës, do të jeni me emisionin “Gol pas Goli”, ku moderatorja Vilma Masha, bashkë me panelin e specialistëve dhe gazetarëve, do të analizojnë takimin dhe do të sjellin prononcimet e protagonistëve.

Top Channel