Në Zagori një prej zonave më të thella të qarkut të Gjirokastrës jetojnë sot vetëm 20% e popullsisë të viteve ’90. Braktisja prej banorëve, por edhe prej institucioneve ka sjellë ndër vite një degradim të thellë të qendrave të fshatrave, çesmave, objekteve publike, shkollave, qendrave të dikurshme të kulturës, kishave dhe urave mesjetare.
Por së fundi banorët po i rikthehen vete mirëmbajtjes. Çekiçi i mjeshtrit 83 vjeçar Koço Puleshi mbi çatinë e kishës mesjetare të Shën Kollit në Hoshteve po i rikthen jetën monumentit.
Ai thotë se ka punuar gjithë jetën dhe së e bën me kënaqësi ndërhyrjen. Zagoria sipas tij ka humbur shumë objekte të rëndësishme me vitet, por këtë herë banorët vendosen ta shpëtojnë vetë kishën monument kulture i kategorisë së dytë.
Janë rreth 15 familje që jetojnë në emigracion që vendosën ta financojnë shpëtimin e objektit që ka vlera të mëdha shpirtërore për zonën. Një tjetër banor thotë se mbështetja nga shteti mungon plotësisht.
Dy vjet më parë Zagoria humbi urën mesjetare të Hoshtevës gjendja kritike e së cilës ishte e paralajmëruar ndërsa brenda të njëjtit vit u restaurua prej Institutit të Monumenteve të Kulturës kisha e Apostujve dhe ura e Nivanit.
Menjëherë më pas organizimi i banorëve për të shpëtuar prona publike vihet re në të gjithë Zagorinë. Qendrat e fshatrave janë më të sistemuara se fundi, shumë objekte po restaurohen ndërsa turizmi dhe prania e vizitorëve po nxit investimet private në shtepi e bujtina.
Top Channel