Trajneri portugez, Jose mourinho po përgatit rikthimin në një pankinë këtë verë, ndonëse pavarësisht thashethemeve të shumta, ende nuk ka asnjë të dhënë se cili do të jetë klubi i tij i ardhshëm.

Në një intervistë të dhënë për transmetuesin e Serisë A, DAZN, tekniku portugez ka folur për rikthimin e tij, eksperiencën te Interi, por edhe futbollistë konkretë si Ibra, Sneijder dhe Maicon.

Rikthimin në pankinë: Jam gati të rifilloj punë që këtë verë, me një projekt vërtetë interesant. Njerëzit përpiqen të harrojnë, por garancia e punës time, janë trofetë e shumtë që kam fituar. Hera e fundit ka qenë në Europa League, më 2017-ën. Mund t’ju them se nuk do të rikthehem në Londër, as në Premier League.

Eksperienca te Interi: Kam gjetur një familje të jashtëzakonshme, që më ka bërë të lumtur çdo ditë të qëndrimit në Appiano. Lidhjen e fortë me tifozët e kanë dhënë edhe trofetë, pasi kur fiton, ka gjithmonë muaj mjalti. Italia ka qenë një habitat natyral për mua, ndryshe nga Anglia, kur shpesh duhet të sillesha ndryshe. Në Itali futbolli jetohet 24 orë, një mënyrë latine kjo, që më përshtatet në mënyrë perfekte. Më pëlqen shumë që kur dal xhiro në Londër, vijnë interistë që më flasin e përqafojnë.

Largimi i Ibrës në vitin e tripletës: Ai është fantastik, por ka një vetëvlerësim të jashtëzakonshëm. Tha se donte të ikte për të fituar Championsin dhe unë në mënyrë spontane i thashë se ndoshta do ta fitonim ne. Skuadra reagoi mjaft mirë dhe pasigurinë e ktheu në forcë, duke mbyllur një sezon perfekt.

Sneijder: Kemi ngulmuar shumë për ta pasur në skuadër, pasi Reali një ditë thoshte se do ta shesë dhe ditën tjetër ndërronte mendje. Unë dhe Oriali bindëm presidentin, por edhe rrezikuam shumë, pasi e morëm vetëm në orët e fundit të merkatos. Më pas luajti derbin vetëm dy ditë pasi kishte ardhur dhe të gjithë e dimë çfarë bëri.

Maicon: Para pushimeve të Krishtlindjeve, luanim në transfertë ndaj Sienës dhe Maicon kishte 4 kartonë. Më kishin thënë se po mendonte të merrte të pestin, për të shkuar me pushime në Brazil, ndaj e thërrita dhe i thashë: Nëse ndëshkohesh, nuk shkon me pushime. “Po nëse shënoj?’. Vetëm nëse shënon dy, i thashë. Në fakt Maicon shënoi dy gola dhe mori karton të verdhë pasi hoqi bluzën duke festuar, duke merituar pushimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA