Teksa janë zhvilluar vetëm 3 gara në Botërorin e Formulës 1, forca e Mercedesit është e dukshme. Por, pavarësisht dominimit, mes pretendentëve për titullin ka nisur loja e fjalëve. Kush më mirë sesa kampioni në fuqi mund ta bëjë këtë?

Lewis Hamilton ironizoi Ferrarin për urdhrat e imponuar ndaj talenti Leclerc, madje zbuloi se situata të ngjashme ka vuajtur edhe më parë, por i ka përmbysur me forcë.

“E shoh veten time shumë në situatën e Charles Leclerc. Ai po bën një punë shumë të mirë dhe duhet vetëm të vazhdojë kështu, pasi fitoret do të vijnë. Por, e kuptoj që ndihet keq kur situata ia kërkon të garojë për të fituar, por fatkeqësisht është përballë një piloti që ka statusin e numrit 1”, tha Lewis Hamilton, duke analizuar betejën brenda bokseve të Ferrarit mes pilotit debutues dhe Sebastian Vettel.

Kujtimi i tij si debutues te McLareni kundër dy herë kampionit të botës, Fernando Alonso, në vitin 2007, është ende i gjallë.

“Mbaj mend që doja të fitoja kundër të gjithëve dhe ‘rebeli’ brenda teje të kërkon të bësh kështu. Skuadra asokohe nuk më jepte të njëjtën sasi benzine në provat kualifikuese, por ia dola të barazoj gjërat dhe kështu fitova garën e parë”, tha Hamilton.

Paralelja është e qartë! Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Leclerc te Ferrari, për të mos u frenuar nga urdhrat e skuadrës. Hamilton kryeson renditjen e pilotëve, me 68 pikë pas 3 garash, ndërsa i dyti është një tjetër pilot i Mercedesit, Valtteri Bottas me 62 pikë.

Top Channel