Basketboll, Teuta në finale. Tirana ndal Gogën, një tjetër ndeshje për finalisten e dytë

25/04/2019 14:20

Teuta është skuadra e parë finaliste e “playoff”-it në basketboll për meshkuj. Ekipi durrsak fitoi mbrëmjen e së mërkurës 69-63 ndaj Partizanit në “Asllan Rusi”, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, duke mbyllur këto përballje me rezultatin 2-0.

Ndërkohë që ende në dilemë mbetet emri i finalistit të dytë, pasi Tirana fitoi 82-75 ndaj Goga Basket gjysmëfinalen tjetër luajtur në “Fahrie Hoti”, duke barazuar në 1-1 serinë e takimeve dhe duke e shtyrë në një tjetër ndeshje përcaktimin e finalistes.

Në “Asllan Rusi”, përballja mes Teutës dhe Partizanit ka qenë mjaft e luftuar dhe të kuqtë bënë shumë rezistencë deri në pranimin e humbjes. Me gjithë përpjekjet, skuadra e Partizanit nuk ishte mjaftueshëm në lartësinë e Teutës, që pas Kupës dhe Superkupës synon edhe trofeun e tretë sezonal, titullin kampion.

Në gjysmëfinalen tjetër, Tirana mposhti 82-75 Goga Basket, një rezultat disi surprizë, duke parë që durrsakët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë. Gjithsesi, bardheblutë bënë një ndeshje mjaft të mirë duke i shtuar emocionet dhe rivalitetin kësaj gjysmëfinaleje. Sfida e tretë, ajo që do të përcaktojë finalistin e dytë, do të luhet pas 3 ditësh në Durrës.

Top Channel