Milani humbi përballë Lazios me rezultatin minimal 0-1 dhe i dha lamtumirën Kupës së Italisë, pikërisht në fazën gjysmëfinale të saj.

Gattuso nuk i kurseu kritikat ndaj të tijve, duke pranuar se kishin bërë një figurë të shëmtuar mbrëmjen e sotme, por bëri thirrje për reagim të dielën në kampionat, në sfidën që e cilësoi si finale të sezonit.

“Duhet të kesh kthjelltësinë e duhur, për të analizuar se çfarë po ndodh me skuadrën në këto momente. Në pjesën e parë ishim të orientuar mirë, por në të dytën Lazio na dominoi totalisht dhe meritoi kalimin në finale. Sot bëmë një figurë të shëmtuar, por duhet të mendojmë për ndeshjen e të dielës, që është edhe finalja e sezonit tonë”, tha Gattuso.

Tekniku kuqezi theksoi se as ndryshimi i skemës nuk arriti të përmirësonte lojën e të tijve, ndërsa pranoi se skuadra nuk ka lirshmëri në paraqitjen në fushë.

“Kemi ndryshuar skemën, por sërish nuk hymë në lojë. Nuk mendoj se është çështje skeme apo njerëzish, por ka të bëjë me qasjen në fushë të skuadrës. Po luajmë me frenat e dorës të ngritura dhe po e vuajmë këtë”, tha trajneri i Milanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA