Si të mos mjaftonte diktati që ka vendosur në futbollin italian në dekadën e fundit, e 8 titujt radhazi në Serie A, e njëjta skuadër do të ndikojë pashmangshmërisht edhe në caktimin e vendeve që kualifikohen në Champions.

Juventusi rikonfirmoi fronin, por do të jetë po ky formacion, që me ndeshjet e saj do të ravijëzojë edhe renditjen.

Duke konsideruar Napolin e vendit të dytë jashtë radarëve të ndjekësve, janë 6 skuadra që pretendojnë turneun elitar kontinental, që nga Interi, Milani, Atalanta, Roma, Torino dhe Lacio, me një hendek prej 9 pikësh.

Në 5 javët e ardhshme, kampionët e Italisë do të luajnë me Interin në “San Siro”, me Torinon në derbi, me Romën në stadiumin “Olimpico” dhe me Atalantën në shtëpi. Pikërisht me këtë kalendar, bardhezinjtë do të kushtëzojnë hyrjen në Champions.

Interi për momentin është i avantazhuar ndaj konkurrentëve të tjerë, pasi ka 61 pikë dhe, nëse fiton të shtunën do të largojë veten nga vallja e diskutimit me të gjitha gjasat. Ndërkohë, për t’u theksuar është beteja e drejtpërdrejtë mes Torinos e Milanit, dhe ajo mes Atalantës e Lacios.

Vetëm në javën e 38, Juventusi e sheh veten pa asnjë ndikim në garën për Champions, por në atë pikë të sezonit, me të gjitha gjasat kualifikimi do të jetë vendosur, pikërisht nga “Zonja e vjetër”.

Top Channel