Ukraina po bën përgatitjet e minutës së fundit për të zgjedhjet presidenciale të së dielës. Ukrainasit do të zgjedhin mes Presidentit Petro Poroshenko dhe Volodimir Zelenskiy, një komedian, i cili luan rolin e një presidenti në një seri televizive mjaft të ndjekur.
Sipas sondazheve 41-vjeçari Volodimir Zelenskiy, i cili nuk ka përvojë politike, është shumë i favorizuar për të mposhtur presidentin Poroshenko. Ai e fitoi “vrullin” nisur nga zhgënjimi i votuesve për shkak të korrupsionit, vështirësive ekonomike dhe një konflikti të vazhdueshëm në lindje të vendit.
Zoti Poroshenko u përpoq të ndezë mbështetësit e tij në një miting të premten në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, vetëm disa orë përpara se kandidatët të zhvillonin një debat televiziv në nivel kombëtar në stadiumin olimpik të qytetit.
Presidenti 51-vjeçar u tha disa mijëra mbështetësve se zoti Zelenskiy do të shfrytëzohej nga presidenti rus Vladimir Putin nëse do të zgjidhej në këtë post dhe tha gjithashtu se një fitore e tij do të pengonte shanset e Ukrainës për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe që atëherë vendi është futur në një luftë me separatistët e mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të vendit.
Zoti Zelenskiy e ka shmangur fushatën politike tradicionale, kryesisht duke shmangur intervistat në media dhe duke dhënë shfaqje me komedi në qytete të ndryshme të vendit. Gjatë daljeve mediatike ai ka mbrojtur synimin për lidhje më të ngushta me BE-në dhe NATO-n. Ai ka bërë thirrje gjithashtu për përpjekje më të madhe për të ri-integruar rebelët në lindje të vendin.
Top Channel