Komediani Volodymyr Zelensky do të jetë presidenti i ri i Ukrainës; exit poll-et e para treguan se 41-vjeçari është fitues i balotazhit që e vendosi atë përballë Petro Poroshenkos, i cili këmbëngulte për një mandat të dytë në këtë post.

Sipas rezultateve të exit polleve Zelenski ka marrë mbi 70% të mbështetjes, duke e lënë kështu shumë prapa rivalin e tij.

“Kjo e sotmja do të jetë fitore e Ukrainës dhe e zgjedhjes së lirë”, deklaroi ai ndërsa pret konfirmimin.

Aktori komik e dominoi qartazi dhe raundin e parë përpara tre javësh, kur në garë ishin 39 kandidatë. Presidenti në Ukrainë ka një pozicion mjaft të fuqishëm e vendos mbi politikat e sigurisë, mbrojtjes dhe atë të jashtme.

Nëse exit poll-et nuk gabohen, Zelensky do të marrë frerët e vendit për 5 vitet e ardhshme. Edhe pse disa analistë e përshkruajnë Poroshenkon si presidentin më të mirë në historinë e Ukrainës, me arritje si marrëveshja e Asociimit me BE , heqja e vizave në hapësirën Shengen dhe pavarësia e
Kishës Ortodokse Ukrainase, ai sërish nuk arriti t’i kapërcente problemet e korrupsionit.

Poroshenko, thonë kritikët, nuk e zbatoi sloganin e tij “Të jetojmë në një mënyrë të re”.

Ai erdhi në post si pasojë e një rebelimi kundër oligarkëve, megjithëse dhe vetë është oligark, por nuk e tejkaloi dot këtë paradoks, ndërsa u rrethua nga njerëz qartazi të korruptuar, dhe mbylli sytë përpara kësaj situate.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA