Barcelona i afrohet akoma më shumë titullit kampion në Spanjë. Në Camp Nou, skuadra katalanase mori një fitore të çmuar me Real Sociedad me rezultatin 2-1 dhe tani është vetëm 6 pikë larg suksesit sezonal.
Nuk ishte Barcelona e zakonshme ajo që u pa në fushën e lojës, por kjo pak rëndësi pati pasi kampionët në fuqi morën maksimumin. Për të parë golin e parë të Barcelonës u desh të prisnim minutat e fundit të pjesës së parë kur pas një goditje këndi, Lenglet me kokë dërgoi topin në rrjetë. Real Sociedad në pjesën e dytë barazoi rezultatin me Juanmi, por ekuilibri zgjati vetëm 2 minuta pasi Barcelona u rikthye në avantazh me golin e Jordi Albës.
Në minutat në vazhdim situata nuk ndryshoi edhe pse Barcelona kërkoi të shënojë edhe golin e tretë dhe sfida u mbyll 2-1 për Barcelonën që ruan diferencën prej 9 pikësh me Atletico Madrid që fitoi në fushën e Eibarit me rezultatin e ngushtë 1-0. Ai që vendosi fatin në favor të skuadrës së Diego Pablo Simeones ishte Lemar me golin e shënuar 5 minuta nga fundi pas një pasimi të Koke.
Top Channel