Me dënimin e Kamzës që deformoi disi kalendarin dhe intrigoi më shumë llogaritë e pikëve dhe renditjen, Kategoria Superiore prezanton sot 4 ndeshje të javës së 30, që do të vendosin shumë mbi luftën për mbijetesën si dhe vendet që të çojnë në kupën më të vogël kontinentale, Europa League.
Partizani do të luajë në orën 16:00 ndaj Kastriotit, një transfertë jo shumë e sikletshme për kryeqytetasit në Fushë-Krujë për shkak të hendekut me vendin e dytë.
“Demat e kuq” kanë 12 pikë diferencë me Kukësin dhe mund t’i lejojnë vetes edhe gabime ndaj një ekipi që synon të evitojë rënien, por është 6 pikë larg shpëtimit. Në të njëjtën orë në Laç, skuadra vendase do të synojë të shfrytëzojë faktorin fushë ndaj Skënderbeut për një biletë në Europa League. Një fitore potenciale e kurbinasve sjell rokadën në renditje.
Tirana luan në orën 19:00 ndaj Kukësit me objektiva krejt të ndryshëm. Bardheblutë rrezikohen nga rënia ndërsa verilindorët që dështuan “de facto” për tiullin rrezikojnë tani edhe vendin më të afërt pranë fronit. Po në orën 19:00 Flamurtari pret Luftëtarin dhe një sukses i mundshëm do t’i jepte bregdetarëve vendin e dytë nëse frenohet Kukësi.
Top Channel