Kandidatët presidencialë në Ukrainë kanë bërë fushatë intensive para balotazhit të së dielës, e madje edhe disa orë para debatit televiziv të mbajtur në stadiumin olimpik të kryeqytetit.
Presidenti në detyrë, Petro Poroshenko përballet me rrezikun e humbjes së postit përballë rishtarit politik dhe komedianit, Volodymyr Zelensky.
Sondazhet tregojnë se Zelensky është përpara Poroshenkos, pavarësisht faktit se ai nuk ka thënë ende asgjë konkrete për politikat e tij. Në një nga serialet televizive ku ai është shfaqur, Zelensky luante rolin e një mësuesi historie që bëhet president aksidentalisht.
Ukrainë, presidenti “debaton” me podiumin bosh të rivalit komedian
E ajo çfarë do të ndodhë pas të dielës mund të jetë një pasqyrim i artit në realitet. Duke qenë një “shoëman” i natyrshëm, ai këmbënguli për stadiumin olimpik si vendin e debatit me rivalin e tij. Të dy ata shkëmbyen shumë batuta, ndërsa mbështetësit respektivë ishin të zhurmshëm po ashtu.
“Përse Ukraina është praktikisht vendi më i varfër, por ka presidentin më të pasur të saj në histori? Përse?”, pyeti Zelensky.
Shumë akuza për korrupsion dhe premtime të pambajtura mund të kenë dëmtuar popullaritetin e Poroshenkos gjatë 5 viteve të fundit. E me sa tregojnë sondazhet, shumë ukrainas nuk duan të votojnë për Poroshenkon, por thjesht duan të zgjedhin një opsion tjetër.
Top Channel