E ndodhur në Uashington prej pak ditësh me qëllim nënshkrimin e marrëveshjes me Departamentin amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare përmes blerjes së disa helikopterëve “Black Hawk”, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është ndalur për herë të dytë brenda vitit në Pentagon, ku është pritur nga Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.
Duke cilësuar Amerikën si një mike të madhe dhe aleate strategjike të popullit shqiptar, pa mbështetjen e së cilës fatet e rajonit të Ballkanit do të kishin qenë ndryshe, Xhaçka shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen amerikane për reforma të rëndësishme në vend, mbi të gjitha atë në Drejtësi.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen e qeverisë shqiptare për administratën e amerikane për të qëndruar në mënyrë të vendosur me ne, në reformat kryesore që po ndërmarrim për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veçanërisht për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, i cili është vendimtar për procesin e pranimit në BE”, tha ministrja e Mbrojtjes.
Më pas ritheksoi rolin e Shqipërisë si një spirancë stabiliteti në rajon, fakt të cilin e tregon edhe përzgjedhja e Kuçovës për të ndërtuar bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkan.
“Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë të stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”, tha Xhaçka, e cila siguroi zyrtarin amerikan se mund të mbështeten sa herë kanë nevojë te Shqipëria, pasi siç tha, “ushtarët tanë janë ushtarët tuaj”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Shanahan vlerësoi Shqipërinë si një partner të fortë, një aleat model në kontributet për misionet paqeruajtëse, por nevojën për t’i dedikuar mbrojtjes 2 për qind të prodhimit kombëtar, një kërkesë e shprehur prej kohësh nga presidenti Trump për të gjithë anëtarët e NATO-s.
“Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’iu falënderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”, tha ai.
Së bashku, ata komentuan edhe çështjen e rrezikut rus në Ballkan, për të cilën theksuan se dy vendet janë partnerë të fortë edhe përballë këtij rreziku.
Top Channel