Kur kombëtarja angleze nisi të kalojë me radhë disa rivalë në Botërorin e verës së kaluar, të shumtë ishin tifozët që menduan se “futbolli po kthehej në shtëpi”, duke e kthyer në një trend fjalinë e stampuar në mijëra bluza dhe stema të “3 luanëve”.

Por, edhe pse në vendin ku u shpik loja më popullore vuajtën zhgënjimin se nuk e fituan Botërorin, mund të krenohen se skuadrat e tyre po shkëlqejnë në futbollin kontinental.

Në njërën anë, Anglia po frymëzon daljen nga Europa me nisma ekonomike dhe politike, por futbolli po fiton kontinentin e vjetër, gjykuar nga rezultatet. Katër skuadra nga 8 të mundshme janë kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League dhe Europa League, dhe ka mundësi reale për të pasur të dyja finalet tërësisht angleze.

Kjo nuk ndodhte prej 35 vitesh dhe ëndrra e ishullorëve për të larguar dominimin e futbollit spanjoll po merr formë.

Gjithçka është meritë e kampionatit më të fortë të planetit. Premier League mendon për të sulmuar dhe jo për prapavijën, e spektakli i fundit në Champions mes Manchester Cityt dhe Tottenhamit e konfirmoi më së miri. Shumë parà në lojë, të drejta televizive, tifozë unikë dhe atmosferë elektrizuese. Këto e bëjnë futbollin anglez të distancohet nga Italia apo Franca.

Në Angli po shpresojnë se në Champions do të ketë një derbi anglez, 11 vite pas atij mes Manchester United dhe Chelseat në “Luzhniki Stadium” të Moskës. Në Europa League, muzika nuk ndryshon, me Chelsean dhe Arsenalin si pretendentët kryesorë të turneut, e të projektuar për finalen e madhe në stadiumin olimpik të Bakusë në Azerbajxhan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA