Të hënën Mourinho parashikoi se mund të kishte surpriza në takimin mes Juventusit dhe Ajaxit, dhe në fakt gjithçka u konfirmua mbrëmjen e të martës, kur bardhezinjtë u eliminuan pas një ndeshjeje perfekte të të rinjve të talentuar holandezë.

Gjatë një interviste për “Russia Today”, sërish trajneri portugez foli për sfidën e të martës në mbrëmje, duke kujtuar eksperiencën nga përballja në finalen e Europa Leagues më 2017-ën, kundër Ajaxit dhe duke evidentuar gabimet e Juventusit.

“Nëse ndaj Ajaxit luan në lojën që ata duan, rrezikon që ata të jenë më të mirë dhe të mposhtin. Këtë gabim bëri edhe Juventusi, që u mundua të luajë me të njëjtin intensitet ndaj tyre, por nuk ia doli përballë energjisë dhe furisë së disa të rinjve të talentuar. Në 2017-ën, duke ditur këtë aftësi të tyre, ndërtova një strategji për lojë të fortë fizike, me topa të gjatë në drejtim të Fellainit, diçka që i vuri në vështirësi ata. Në atë finale, nuk i lamë për asnjë moment të dilnin në lojën e tyre, pasi imponuam një tjetër ritëm loje”, tha Mourinho.

Portugezi theksoi më pas se edhe për Tottenhamin do të jetë e vështirë përballja me holandezët dhe se vetëm Barcelona ose Liverpooli kanë kualitetet teknike, për t’i eliminuar ata nga kompeticioni.

“Unë mendoj se vetëm Barcelona dhe Liverpoli kanë kualitetet e duhura, për t’u përballur në fushë të hapur me Ajaxin dhe për ta mposhtur. Tottenhami do ta ketë të vështirë, nëse nuk ndërton një strategji”, tha portugezi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA