Napoli mbylli një tjetër vit pa trofe, ndonëse me uljen e Carlo Ancelottit në stol, pritshmëritë ishin rritur ndjeshëm. Të kaltrit ishin fokusuar te Europa league, që ishte objektivi i fundit ku ishin në garë, por u eliminuan mbrëmjen e të enjtes nga Arsenali.

Në përfundim të takimit, Ancelotti komentoi ndeshjen, duke pranuar se pas golit të Arsenalit, loja mori një tjetër rrjedhë dhe skuadra pësoi rënie të moralit.

“Loja zgjati vetëm 30 minuta, ku bëmë shumë mirë, por pas golit të tyre, ndeshja mbaroi. Ishte normale, pasi na duhej të shënonim 4 gola, për të vijuar më tej dhe kjo minimizoi besimin te futbollistët e mi. Provuam të bëjmë diçka në fillim dhe krijuam disa raste, por nuk i shfrytëzuam. në të tilla momente, është e rëndësishme që episodet t’i kesh në favor”, tha Ancelotti.

Tekniku zëvendësoi Lorenzo Insignen, i cili u vërshëllye nga publiku i “San Paolos” dhe reagoi ashpër, duke shqelmuar një shishe ujë dhe duke shkëmbyer disa fjalë me Ancelottin.

“Nuk e kishte me mua, por ishte i nervozuar me situatën e krijuar. Ato vërshëllima nuk më pëlqyen as mua, por lojtari më pas ndoqi ndeshjen në këmbë, pranë pankinës, duke treguar se nuk kishte gjë me grupin”, tha Ancelotti.

Ndonëse ka mbetur edhe një muaj nga përfundimi edhe zyrtarisht i sezonit, Carlo Ancelotti ka bërë një bilanc të vitit të parë në krye të pankinës së Napolit.

“Shumë pozitiv, pasi kam gjetur një grup shumë të mirë futbollistësh dhe një shoqëri që më mbështet dhe më orienton. Nga këtu do të provojmë të ndërtojmë diçka edhe më të rëndësishme për vitin e ardhshëm, ndonëse kritikat nuk do të mungojnë”, tha trajneri i Napolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA