Superkupa në basket për femra, Flamurtari mposht Tiranën

18/04/2019 14:01

Flamurtari në basketboll për femra shton në palmaresin e tij edhe një tjetër trofe, Superkupën e 14 në histori, të cilën arriti ta fitojë ndaj Tiranës në ndeshjen e luajtur në Pallatin e Sportit “Flamurtari”.

Ekipi vlonjat fitoi në shifrat 62-58, duke u hakmarrë në njëfarë mënyre ndaj bardhebluve për finalen e Kupës së Shqipërisë. Ajo mes Flamurtarit dhe Tiranës ka qenë një ndeshje me shumë emocione. Gjithçka ishte e ndezur që në fillim, periodë të cilën e fitoi Tirana me një avantazh të ngushtë 38-37.

Pas pushimit, Tirana kërkoi të thellojë diçka në avantazh dhe ia arrin për një moment qëllimit, duke u shkëputur deri në 8 pikë diferencë ndaj Flamurtarit. Aty ku u duk se bardheblutë mund të ishin fitues të trofeut ndryshoi gjithçka.

Vendasit ia dolën të gjejnë forcën për të përmbysur gjithçka, duke e mbyllur sfidën në shifrat 62-58. Kupa i është dorëzuar kapitenes Migena Plasa nga presidenti i FSHB-së Avni Ponari, ndërsa trajneri Viron Toska është shprehur i kënaqur për suksesin e arritur.

Nuk kanë munguar edhe komentet nga lojtaret protagoniste, si Plasa, Myrto apo Siljanovska, me këtë të fundit që u shpall më e mira në ndeshjen e Superkupës, të cilat kanë vlerësuar fitoren e Flamurtarit.

Flamurtari dhe Tirana, pas finales së Superkupës do të ndeshen sërish në fazën “play-off” për titullin kampion në basketboll për femra.

Top Channel